Është prezantuar dje publikisht një nismë e Ekzekutivit për të rivendosur kufi mbi borxhin publik, si dhe për të shmangur shpenzime joproporcionale me rastin e fushatave elektorale. Kjo është pasqyruar në një projektligj, që ka marrë OK e qeverisë në mbledhjen e saj të djeshme, por duhet të kalojë në Kuvend për miratim.
Borxhi
Sipas një amendimi të miratuar në ligjin aktual të menaxhimit të sistemit të buxhetit, qeveria vendos të kthejë mbrapsht praktikën e deritanishme të rritjes së borxhit publik pa një kufi maksimal. Një kufi i tillë, në masën 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ekzistonte më parë, por qeveria ‘Berisha’ e eliminoi, duke hequr tavanin për borxhin e ri. Kjo u përdor nga Ekzekutivi ‘Rama’ për të marrë borxhet më të fundit, por me interesa më të ulta, duke përballuar situatën e mungesës së likuiditetit për privatët që kishin kryer punë në shtet, por nuk ishin paguar.
Sipas ndryshimit të propozuar dje, në çdo ligj vjetor të buxhetit, fillestar apo të rishikuar, si dhe në planifikimet e buxhetit afatmesëm, raporti i borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto duhet të planifikohet më i ulët se sa niveli i vlerësuar për vitin pararendës, deri atëherë kur niveli i borxhit të arrijë dhe qëndrojë poshtë nivelit 45% të Produktit të Brendshëm Bruto. Pra, kufiri do të jetë niveli i borxhit të një viti të caktuar, gjatë të cilit hartohet buxheti për vitin e ardhshëm.
Duket se është vendosur si objektiv për borxhin publik shifra 45% e PBB-së. Aktualisht ky nivel është 69.2 për qind.
Amendimi lejon edhe përjashtime nga ky rregull. Përjashtim mund të bëhet vetëm në rastet e rrethanave të jashtëzakonshme (katastrofa natyrore, aksidente teknologjike, gjendja e luftës, etj).
Vlera e Produktit të Brendshëm Bruto, që do të përdoret për llogaritjen e raportit të borxhit publik ndaj PBB do të jetë ajo e vlerësuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në kohën kur ligji vjetor i buxhetit dorëzohet për miratim në Kuvend.
Në buxhet duhet të përfshihet një kontingjencë e veçantë, prej jo më pak se sa 1% e shpenzimeve totale të buxhetit, për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në nivelin e borxhit. Dhe, nga ana tjetër, kur rritja reale e Produktit të Brendshëm Bruto do të jetë të paktën 5%, deficiti i përgjithshëm nuk mund të jetë më i lartë se sa 2% e PBB.
Investimet elektorale
Qeveria ka kaluar edhe një klauzolë të re, që ka të bëjë me caktimin për herë të parë të një shpërndarjeje të detyruar proporcionale të shpenzimeve buxhetore në vitet kur ka zgjedhje. Në vitet buxhetore, gjatë të cilave mbahen zgjedhjet e përgjithshme, ekzekutimi i deficitit buxhetor të qeverisjes së përgjithshme, përveç rasteve të jashtëzakonshme, do të kryhet: deri në fund të tremujorit të parë 30% e deficitit vjetor; deri në fund të gjashtëmujorit të parë 55% dhe deri në fund të nëntëmujorit nuk mund të jetë më i lartë se 80% e deficitit vjetor të përcaktuar në ligjin e buxhetit vjetor.
Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)