Kosova edhe tetë vite pas pavarësisë vazhdon të ketë normën më të ulët në rajon të Bruto Produktit Vendor (BPV), për kokë banori. Shteti me rreth dy milion banorë ka dështuar të jetë konkurrente në raport me vendet për rreth. Ekonomia gjatë tetë viteve të pavarësimit nuk ka arritur të shënojë rritje as mbi katër për qind, pavarësisht premtimeve dhe “plan programeve” të partive që kanë udhëhequr në qendër.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga viti 2008 BPV për kokë banori ishte 2 mijë e 285 euro, në vitin 2014 është rritë në 3 mijë e 84 euro. Ndërsa shtetet fqinje kanë normë disa herë më të lartë se Kosova.
Publikimet zyrtare tregojnë se Produkti i Brendshëm Bruto (GDP) në Serbi ishte me vlerë 43.87 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2014. Vlera e GDP-së së Serbisë përbën 0.07 për qind të ekonomisë botërore.
Ndërsa Produkti i Brendshëm Bruto (GDP) në Maqedoni ishte me vlerë 11.32 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2014. Vlera e GDP-së së Maqedonisë përbën 0.02 për qind të ekonomisë botërore.
Ilir Berisha, drejtor i Departamentit të Statistikave dhe Llogarive Kombëtare, tha për KosovaPress se BPV për kokë banori ka pasur lëvizje nga viti 2008 e deri më tani. BPV me çmime aktuale nga 3 miliard e 882 milion e 800mijë euro që ka qenë në vitin 2008 në vitin 2014 ka arritur në 5 miliard e 567.5 euro.
“Në vitin që Kosova është shpallur shtet i pavarur ka pasur 2 mijë e 258 euro BPV për kokë banori dhe të fundit në baza vjetore që i kemi për vitin 2014 del se kanë arrit në 3 mijë e 84 euro për kokë banori. Në qoftë se ju referohemi numrave, BPV me çmime aktuale nga 3 miliard e 882 milion e 800mijë euro që ka qenë në vitin 2008 në vitin 2014 ka arritur në 5 miliard e 567.5 euro. Rritja reale ekonomike në baza vjetore në vitin 2008 ishte 4.4 për qind dhe pastaj ka qenë vitet në vijim si 3.6 në vitin 2009, 4.4 në vitin 2011 , 3.4 për qind në vitin 2013 dhe në vitin 2014 patëm një rritje më të ulët gjatë kësaj periudhe që ka qenë 1.2 për qind. Në tre tremujorët e parë të vitit 2015 një mesatare është me 3.4 për qind”, tha Berisha.
Por kjo rritje modeste për ish ministrin e Financave, Haki Shatri, është një rritje e pa mjaftueshme e cila do të ndikonte në zvogëlimin e numrit të pa punëve.
“Kjo dinamikë e shtrimit nuk është e mjaftueshme për me zvogëluar papunësinë që duhet të jetë mbi 7 për qind për me qenë dinamika e rritjes së BPV, për të mundur me absorbua fuqinë punëtore që hynë në treg të punës. Unë mendoj që Qeveria, përfshirë të gjitha strukturat në nivelin komunal edhe nivelet qendrore, është dashur të fokusoheshin seriozisht në aspekt të zhvillimit ekonomik”, tha Shatri.
Berat Thaçi, nga Instituti GAP, tha se rritja nuk ndikoj në uljen e papunësisë dhe se për të shqetësuese mbetet shifra prej 60 për qind e të rinjve që janë të pa punë.
“Fatkeqësisht kjo rritje nuk i ka akomoduar nevojat e tregut të punës në Kosovë. Papunësia ka vazhduar me mbet shumë e lartë, ku varësisht prej metodologjisë ka ndryshuar kohë pas kohe, mirëpo papunësia sipas ASK-së vazhdon me mbet rreth 35 për qind . Ndërsa papunësia tek të rinjtë, që është më shqetësuese, është shumë më e lartë, rreth 60 për qind e të rinjve janë të papunë. Ky është një problem i madh për Kosovën, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë social. Krahasuar me rajonin Kosova ka ngecë mbrapa për arsye se BPV për kokë banori është më i ulëti në të gjithë regjionin, që tregon se kosovarët janë më të varfër krahasuar me rajonin”, tha Thaçi.
Sipas tij,problemet tjera që e kanë përcjell ekonominë e vendit gjatë kësaj periudhe janë edhe cilësia e edukimit, mungesa e përpjekjes serioze për rritje të investimeve në edukim apo për një reformë e cila do të prodhonte një gjeneratë të të rinjve të cilët mund të krijojnë biznese apo të punojnë në bizneset që ekzistojnë.
Përndryshe, bazuar edhe në të dhënat e Bankës Botërore, Kosova në krahasim me vendet e rajonit, Bruto Produktin Vendor për kokë banori e ka më të ulëtin. /Telegrafi/