Komisioni Europian ka bërë publike tabelat e raportit të tremujorit të parë të vitit 2016 ku shihet se si Shqipëria bashkë me Serbinë renditen ndër vendet ku konsumi privat ka pësuar rënie. Konkretisht, gjatë 2015-s konsumi privat në Shqipëri paraqitet negativ me -0.2%, ndërsa Serbia me -0.6%.
Krahasuar me Shqipërinë, vende të tjera, mes tyre dhe Kosova, i janë gëzuar konsumit privat në rritje. Konsumi privat në Kosovë ka shënuar rritje me 4.9% dhe në Maqedoni me 3.2%. Vlera pozitive kanë shënuar edhe Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi, pavarësisht në nivele më të ulëta.
Nëse bazohemi tek të dhënat e INSTAT, që u referohet edhe Komisioni Europian, konsumi privat në Shqipëri gjatë 2015-s ka kaluar në territor negativ për herë të parë që prej vitit 2001. Në dy tremujorët e parë të vitit 2016, konsumi ishte në territor negativ përkatësisht -1.1% dhe -3%, për t’iu kthyer rritjes pozitive në gjysmën e dytë të vitit, përkatësisht me 1.74% dhe 2.42%.
Ndërsa konsumi gjithsej (përfshirë dhe administratën publike) shënoi një rënie prej 0.5% gjatë vitit të kaluar, për herë të parë që nga 1998-a, teksa dhe administrata publike e kishte këtë tregues negativ. Banka e Shqipërisë shpreson në rritje të konsumit privat gjatë 2016-s, duke u bërë një ndër faktorët që do të orientojë rritjen këtë vit.
Përshtatur nga “Monitor”