Investitorët italianë kërkojnë shegën shqiptare

Ekonomi

shega-dhe-efektet-per-zemren-3-780x439.jpg

Resurset e natyrës shqiptare dhe kosto e lirë e punës po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e investitorëve italianë për të adresuar sipërmarrje të reja në bujqësinë shqiptare. Sipërmarrës italianë dhe shqiptarë prezantuan sot në Tiranë, projektin “Jolly Red”, që synon kultivimin e shegës cilësore në rajonin e Orikumit të Vlorës, në jug të vendit, si alternativa më e mirë për ekonominë dhe tregun bujqësor shqiptarë.

Sfida e projektit mbetet krijimi i kooperativës në Orikum të Vlorës, për prodhimin e shegës cilësore “Made in Albania”.

Përfaqësuesi i Projektit “Jolly Red”, Angelo Amato, shprehet se investitorët italian pas një bashkëpunimi të gjatë me kompaninë shqiptare “Agricola Orikum” që drejtohet nga sipërmarrësi vlonjat, Bledar Ferrunaj, studiuan mundësinë për të investuar në kultivimin dhe mbjelljen e shegës në zonën e Orikumit, duke u mbështetur edhe në projektet e përbashkëta Shqipëri-Itali në për zhvillimin e bujqësisë. Amato shprehet optimist për zbatimin e këtij projekti të ri në Shqipëri dhe veçanërisht në zgjedhjen e bashkëpunimit me kompaninë shqiptare “Agricola Orikum” për zhvillimin e plantacioneve të shegës në Shqipëri, me synim tregun e brendshëm dhe eksportin.

Për investitorët italianë është zgjedhur Orikumi, si vend me reliev dhe kushte të përshtatshme klimaterike për kultivimin e rritjen e shegës, por sipas Amatos, dhe afërsia në pozita gjeografike me Italinë është një arsye më shumë për këtë bashkëpunim të ri në fushën e bujqësisë.

Shega, sipas ekspertit italian është një ndër bimët më të rëndësishme në strukturën e pemtarisë. Vlerat ushqyese, përdorimi në mjekësinë popullore i lëvozhgave, luleve, e bëjnë këtë frut shumë të vlefshëm për organizmin e njeriut. Ajo është konsideruar si frut i fertilitetit dhe një antioksidant i shkëlqyer. Prej kohësh, shega po gjen përdorim të gjerë edhe në industrinë kozmetike dhe përpunimin teknologjik ushqimor, duke u bërë mjaft e kërkuar në shumë tregje të huaja.

Amato vjen në këtë bashkëpunim shqiptaro-italian pas një përvoje të gjatë në Itali në fushën e agrobiznesit, teknologjive bashkëkohore dhe kultivimit të shegës, ndërsa së fundi sjellë këtë eksperiencë në Orikum, si partner në investim që synon ta zgjerojë bashkëpunimin edhe në sektorë të tjerë të agrobiznesit, si përpunim të vaji të ullirit, prodhim të djathit, futjes së teknologjive më të avancuara të përpunimit bujqësor etj.

Një nga sfidat e bashkëpunimit mes biznesit shqiptaro-italian, për “Agricola Orikum” në projektin “Jolly Red”, mbetet sigurimi i sipërfaqeve të mëdha të tokës për krijimin e kooparativës së parë në vend për prodhimin e shegës.

Bledar Ferrunaj tregon se investimi për prodhimin ekstensiv të shegës kërkon disa 10 hektarë tokë, në mënyrë që të garantojë rendiment të lartë dhe prodhim të mjaftueshëm jo vetëm për tregun vendas, por kryesisht për eksport, ku kërkesat janë në rritje dhe tregu i shitjes së këtij fruti është i garantuar.

Por gjithsesi, shprehet ai, tashmë kemi nisur punën në këtë sipërmarrje “Jolly Red”. “Në një sipërfaqe 3 hektarë tokë në Orikum, që i kam marrë m e qira, kam mbjellë fidanë cilësorë të standardeve të larta të shegës së patentuar, që rritet shpejtë, prodhon sasi të madhe dhe shumë cilësore”, thotë Ferrunaj, sipas të cilit është negociuar edhe për tregun e shitjes. /Telegrafi/