Dy problemet kryesore që kanë sot bizneset me administratën tatimore janë kontrollet e befta dhe vënia e gjobave. në një anketë që ka bërë Qendra për Kërkime Ekonomike ka dalë në pah, se 70% e sipërmarrësve janë përgjigjur se kanë patur kontrolle pa u lajmëruar më parë, ndërsa ka dhe nga ato raste ku drejtuesit dhe menaxherët e ndërmarrjeve private kanë thënë se kanë dhënë ryshfet për të ulur sasinë e gjobës nga inspektori tatimor. Të mbledhur në një forum ekonomik, përfaqësues të bizneseve të ndryshme kanë kërkuar që të rishikohet legjislacioni tatimor, dhe të përcaktohet qartë koha dhe afati kur tatimet duhet të ushtrojnë kontrollin. Një tjetër kontradiktë që mbetet mes bizneseve dhe tatimeve është pjesa e mohimit të së drejtës që kanë sipërmarrësit për të ankimuar një gjobë të vënë. Përpara se të apelojnë një gjobë, ata duhet të parapaguajnë 100% të shumës, propozimi i tyre ishte që kjo vlerë të zbresë në 10%.