Nëse kërkon të zgjerosh biznesin tënd apo ke një ide dhe një plan investimi për të hapur një ndërmarrje, tashmë mund të gjesh financim. Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim në kushtet e rënies së kreditimit që prej krizës që kapi edhe rajonin tonë në 2008-ën ka miratuar një fond prej afro 40 milion eurosh i cili do t’i jepet bizneseve në Ballkanin Perëndimor, ku përfshihet dhe Shqipëria. Por si funksionon miratimi i kësaj kredie? Nëse ke një ide të mirë për të hapur një ndërmarrje të vogël ose të mesme, apo do të shtosh investimet në një biznes ekzistues, BERZH të jep paratë dhe bëhet aksionere deri në momentin që t’i përfundon shlyerjen e kredisë. Nuk kërkohet kolateral dhe nuk ke për të paguar asnjë interes, të gjithë rrezikun e merr përsipër e BERZH. Fabio Serri, drejtor i zyrës së BERZH në Shqipëri tha se banka do të bëhet pjesëtare e kapitalit sipas shumës që do të financojë. Por sa e vështirë është që të gjesh një bankë e cila të jep paratë vetëm duke pëlqyer idenë tënde. Mimoza Vojka është një sipërmarrëse e cila na tregon se para dy vjetësh kur ajo morri një kredi, vetëm një bankë arriti që t’ia ofronte pa kolateral. Dhe në fund rezultoi që biznesi i saj ishte i suksesshëm, pasi tani ajo ka arritur të prodhojë dhe eksportojë jashtë. Sot që flasim kreditimi për ekonominë tonë ka rënë me 1.4% vetëm gjatë 2013-ës, ndërsa bizneset ankohen gjithnjë e më shumë se kushtet e miratimit të një huaje po behën të vështira.