Bashkimi Europian duhet të konsiderojë ndalimin e kartëmonedhës 500 euroshe, për shkak se vlera e lartë e bën atë të cenueshme për korrupsion dhe aktivitete të jashtëligjshme.
Komentet vijnë nga kreu i organit kundër mashtrimit të BE-së. Kartëmonedha 500-ëshe, është më shumë se 5 herë më e vlefshme se ekuivalentja amerikane në qarkullim, ajo 100 dollarëshe dhe ofron një fuqi blerëse dhe këmbyeshmëri globale të rrallë, në një copë të vogël letre. “Jam në dyshim nëse ka ende nevojë për kartëmonedha me prerje të lartë si 500 euroshi, kryesisht për shkak se këto mund ta bëjnë jetën e një mashtruesi më të lehtë”, tha kreu i zyrës kundër mashtrimeve në Bruksel, Giovanni Kessler. Banka Qendrore Europiane në Frankfurt, që emeton euron, ka refuzuar t’i komentojë thirrjes së zyrës në Bruksel.
Kreu i zyrës thotë se prerjet e vogla dhe një zgjerim i përdorimit të parasë elektronike mund të ndihmojë hetimet. “Gjurmueshmëria është kryesore në luftimin e korrupsionit dhe mashtrimit”, shtoi ai. Të dhënat e Bankës Qendrore Europiane tregojnë se gjatë fundit të 2015-ës, rreth 3% e kartëmonedhave në qarkullim ishin banknotat 500 euro-she, duke përfaqësuar 28% të vlerës në total. Si 100 dollarëshi, shumë prej kartëmonedhave 500 euro, besohet se mbahen jashtë ekonomisë vendase, në rajone ku preferohen më shumë paratë në dorë se llogaritë bankare.
Kur banknotat dhe monedhat europiane filluan të qarkullojnë, Gjermania ishte mbështetësja më e madhe e prerjes 500-ndëshe, në mënyrë që të përshtatej me prerjen e 1 mijë markave, dhe gjithashtu për të kënaqur preferencat tradicionale të Gjermanëve të parave në dorë kundrejt atyre elektronike. Nga ana tjetër disa vende si Franca, ku para hyrjes në qarkullim të euros, kartëmonedha më e madhe vlente vetëm 76 euro, ishte kundër prerjes 500-ëshe.
Një tjetër vend kundërshtues, Britania, ka ndaluar zyrat e këmbimit në shitjen e kartëmonedhës 500-ndëshe që prej vitit 2010. Sterlina me prerjen më të madhe vlerësohet në rreth 66 euro. Megjithatë, për ata që kënaqen nga një prerje e madhe, Zvicra ofron kartëmonedhën prej 1mijë franga, apo 910 euro. /Telegrafi/