Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur të mërkurën Ankandin e Bonove të Thesarit KV006-16, ku u ofertuan Obligacione Qeveritare dy vjeçare në vlerë nominale prej 25 milionë euro. Nga kjo shumë, 10 milionë euro do të shërbejnë për ri-financimin e obligacionit të emetuar në mars 2014, kurse pjesa tjetër prej 15 milionë shkon për përkrahje buxhetore.
“Në këtë ankand tregu shfaqi kërkesë për blerje në vlerë 70.54 milionë euro kurse ne pranuam vetëm shumën e shpallur paraprakisht e që është 25 milionë euro. Norma e interesit për këtë ankand ishte 1.16% vjetore, gjë që paraqet një dallim prej -147 pikësh bazë krahasuar me normën e interesit të ankandit të kaluar të obligacioneve dy vjeçare, e cila ishte 2.63%”, ka njoftuar Ministria e Financave, shkruan Telegrafi.
Blerësit sipas kategorive ishin si vijon: Bankat: 24.85 milionë euro, Kompanitë e Sigurimeve: 0.15 milionë euro. Të hyrat neto nga ky ankand janë 14,979,099.54 euro. /Telegrafi/