Bizneset dhe aktivitetet që janë konsideruar me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e Covid-19 janë edhe dasmat. Po ç’do të ndodhë me dasmat e prenotuara për këtë verë?
Edhe pse jo zyrtarisht, pritet që edhe për këtë pyetje, Kryeministri të ketë një përgjigje së shpejti. Në faqen e tij, një muzikant e ka pyetur i shqetësuar çfarë do të bëhet me dasmat e kësaj vere.
“Ne muzikantët që mbahemi me dasmat si do ia bëjmë? Ti je artist, e kupton vetë që ne nuk mund të bëjmë punë krahu!”
Edhe për këtë, Rama e ka gati përgjigjen: “E kuptoj, por unë kam një punë krahu pak më ndryshe, sepse nuk më duhen dasmorë kur shkarravis, por çfarë të them? Bëj durim dhe të shpresojmë që më herët se vonë, do të lirohet edhe përsa u përket dasmave. Kam parë në disa vende jashtë që kanë lejuar dasmat jo më shumë se 10 veta, por këtë do ta shikojmë në vijim”.
Për këtë çështje dhe në lidhje me hapjen e disa bizneseve, si kafetë, restorantet apo qendrat tregtare, Kryeministri sqaroi se nuk është marrë ende një vendim i prerë, pasi rol të rëndësishëm luan koha, që do të tregojë si do të vijojë situata me koronavirusin në vend.