Ekzekutohet personi i armatosur në godinën e parlamentit në Kanada. Sipas Televizionit Kanadez policia ka konfirmuar se njësitë speciale kanë qëlluar për vdekje personin e armatosur. Vrasja e tij erdhi pas shkëmbimit të zjarrit me policinë.
Parlamenti kanadez është boshatisur ndërsa njësitë speciale kanë rrethuar godinën në Otava, pasi një person i armatosur ka hyrë në ambientet e kuvendit.
Ky i fundit hyri me vrap në godinë, pasi qëlloi dhe plagosi një ushtar në Memorialin Kombëtar te Luftës. Sikurse bëjnë me dije punonjës të parlamentit, brenda godinës janë dëgjuar të shtëna.Dyshohet se personi i armatosur ka hipur në katin e fundit që ka dhe dalje në çati. Policia ka evakuuar zonën ndërsa i ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë larg dritareve në godinat përreth.
Mes personave të larguar ka qenë dhe kryeministri, Stefen Harper. Në një njoftim në Twitter ai konfirmon se është shëndoshë e mirë. Ky incident vjen një ditë pasi Kanadaja rritin nivelin e rrezikut në të mesëm për shkak të terrorizmit. Ky vendim ishte një përgjigje ndaj rritjes së bisedave mbi ekstremizmin islamik në internet që pasuan vrasjen e një të riu mysliman nga policia në Kebek, pasi shtypi qëllimisht me automjetin e tij dy oficerë ushtarakë. Autori i këtij sulmi ishte 25-vjeçari, Martin Rulo, një nga 90 personat e dyshuar si militantë që kërkohen nga autoritetet kanadeze.