Speciali që vrau Bin Laden

Botë/Rajon

The-former-US-navy-Seal-R-009Në SHBA ka shpërthyer një debat publik, pas zbulimit të identitetit të një prej pjesëtarëve të njësisë speciale elite amerikane, Navy Seals, i cili vrau ish-kryeterroristin e Al Kaedës, Osama bin Laden, në aksionin e majit 2011 në Pakistan. Ish-anëtari i Navy Seals, Robert O’Neill, i tregoi gazetës së njohur “Washington Post” gjatë një interviste, se ishte ai personi që qëlloi për vdekje Bin Ladenin. Njësia Navy Seals, zakonisht i përmbahet një kodi heshtjeje që ua ndalon pjesëtarëve që të tregojnë publikisht për aksionet e tyre. 38-vjeçari O’Neill, i cili u tërhoq nga shërbimi në vitin 2012, e kishte dhënë dëshminë e tij, për revistën “Esquire” më herët, por duke ruajtur anonimatin. Ai kishte vendosur që ta zbulonte identitetin e tij më vonë gjatë një interviste televizive. Por, në intervistë për “Washington Post”, ai thekson se u detyrua të flasë më shpejt, për shkak se u ndje i rrezikuar nga dëshmia e një ish-kolegu të tij. Grupi elitë Navy Seals, përbëhet nga gjashtë persona dhe është i trajnuar që të ndërmarrë operacione sekrete dhe të ndërlikuara. Veç vrasjes së Bin Ladenit, ata njihen edhe për shpëtimin e një kapiteni amerikan të marinës, Riçard Filips, i cili ishte marrë peng nga piratët somalezë në Oqeanin Indian.