Premtimet e Trump të listuara si prioritete

Botë/Rajon

trump 8 550x367

Donald Trump ka premtuar një fillim të vrullshëm të punës për administratën, me qëllim që të rregullohen disa gabime që sipas tij janë bërë nga parardhësi i tij në zyrë Barak Obama. Në komunikatat e tij për mediat, Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara ka folur për një plan që do të ekzekutohet në 100 ditët e para të presidencës së tij, ku do të nisë punë për të implementuar disa politika që cilësohen thelbësore.

Shumë ekspertë janë shprehur se republikani do të kthejë përmbysë gjithçka që ka trashëguar nga Obama. Fillimisht, ai do të nisë me zhbërjen totale të planit të parardhësit për sigurimet shëndetsore, i njohur ndryshe edhe si Obama Care. Trump e ka cilësuar këtë politike si diçka skandaloze, e cila nuk u vjen aspak në ndihmë qytetarëve amerikanë. Për këtë arsye, ekspertët e kabinetit të tij, do të nisin urgjentisht punën për krijimin e një platforme zëvendësuese. Propozimi dhe drafti i plotë më pas do t’i drejtohet kongresit amerikan, ku Trump mbetet mjaft i avantazhuar, pasi republikanët gëzojnë shumicë në të dyja dhomat e legjislativit amerikan.

Zhbërja e Obamacare ka patur edhe kundërshtime nga pala demokrate, e cila pretendon se me këtë vendim, mund të humbasin kudjesin shëndetsor, mbi 30 milionë qytetarë.

Një tjetër gjë që pritet të ndodhë në 100 ditëshin e parë të Trump është aksioni kundër emigracionit të jashtëligjshëm. Presidenti do të nisë projektin e ndërtimit të një muri përgjatë gjithë kufirit jugor me Meksikën, faturën e së cilës ka ndërmend tja japë qeverisë meksikane në mënyrë indirekte. Gjithashtu, do të ketë shtim të kontrrolleve në pikat kufitare të vendet, ndërkohë që në aeroporte pritet instalimi i serverave më të mëdhenj për të mbledhur sa më shumë të dhëna rreth personave që hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Donald Trump ka prmtuar gjithashtu se do të deportojë afro 3 milionë emigrantë që kanë kryer krime dhe veprime të jashtëligjshme. Në rast se vendet e origjinës nuk do të pranojnë t’i marrin mbrapsht këta emigrant, atëherë administrate e re mund të vendosë penalitete.

Reforma për funksionarët shtetërore do të jetë një tjetër çështje që do të trajtohet në 100 ditët e para. Trump ka premtuar se do të vendosë limite për mandatet në Kongres si dhe do të ndalojë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë që të punojnë si lobues pas përfundimit të mandatit.

Nuk ka si të mungojë as lëvizjet për ndryshimin e politikave ekonomike. Trump ka deklaruar se do të nisë zbatimin e projektit që ai ka për ekonominë. Në këtë aspekt, Presidenti do të urdhërojë monitorimin e politikave të Kinës, e cila sipas tij manipulon monedhën. Trump pritet të heqë të gjitha pengesat për prodhimin e energjisë, një premtim madhor ky i republikanit.

Ndërkohë, në pikëpyetje mbetet loja që do të luajë Trump në arenën ndërkombëtare. Ai ka premtuar se do të ridimensionojë marëdhëniet me Rusinë për të bashkëpunuar në cështje me interes të përbashkët. Gjithashtu, më vëmendje do të ndiqen edhe raportet që Trump do të krijojë me aletatët tradicionalë në Europë.