Miliarderi dhuron 100 mln euro për Katedralen e Parisit

Botë/Rajon

U deshën plot 9 orë betejë me flakët, por zjarrëfikësit arritën të vënë në kontroll zjarrin që përfshiu një pjesë të madhe të katedrales Notre Dame de Paris.

Duke folur nga katedralja nēn flakë, në orët e para të së martës, presidenti Emmanuel Macron e cilësoi ngjarjen tragjike, por evidentoi si shumë të rëndësishëm faktin që u shpëtua struktura e saj.

“Ne do ta rindërtojmë katedralen të gjithë së bashku dhe ajo padyshim do të mbetet një nga destinacionet kryesore të Parisit”, tha Macron duke njoftuar se shumë shpejt do të hapë një skemë ndërkombëtare të mbledhjes së fondeve, për t’i rikthyer kryeqytetit Notre Dame-n e famshme.

Ndërkohë, miliarderi francez François-Henry Pinault, pronar i Kering group, që përfshin linjat e famshme të modës, Gucci dhe Yves Saint Laurent, ka premtuar një donacion prej 100 milionë eurosh për rindërtimin e Notre Dame de Paris.