Nga muaji maj i vitit të ardhshëm, nëpunësve publikë në Singapor do t’u ndalohet qasja në internet gjatë orarit të punës. Gazeta “Strait Times” shkruan se kjo masë do të ndërmerret në kuadër të rritjes së sigurisë, për të shmangur shkëmbimet e dokumenteve të ndryshme që mund të keqpërdoren.
Gjithashtu, bëhet e ditur se punonjësve që punojnë në administratën shtetërore do t’u ndalohet të shpërndajnë informacione të punës përmes email-eve të tyre personale. Kjo ka shkaktuar tronditje te vendasit që e shohin me dyshim këtë nismë të qeverisë. Disa prej tyre kanë sugjeruar që këto masa të mos merren vetëm për nëpunësit, por edhe për mësuesit, për shkak se informacione të ndryshme të tyre mund të përdoren për qëllime ekstremiste.
“Strait Times” bën me dije se ky njoftim është dërguar në të gjitha organizmat qeveritare, në ministri dhe borde të ndryshme. IDA, agjencia përgjegjëse për këtë nismë, tha se qëllimi është krijimi i një ambienti më të sigurt të punës. Një zëdhënës i IDA-s tha për BBC-në se ka nisur qasja në kompjuterët e disa zyrtarëve të shërbimeve publike dhe pritet që të përfundojë brenda një periudhe 1-vjeçare.
Ky vendim është komentuar nëpër rrjetet sociale dhe është cilësuar si shkelje e sigurisë. Singapori është përballur disa herë me sulme kibernetike, përfshirë edhe atë të “Anonymous” në 2013-n.