Policia italiane shkatërroi një rrjet italo-shqiptarë trafikantësh droge, dhe sekuestroi rreth dy tonë drogë të llojeve të ndryshme, në një operacion të shtrirë në Lombardi dhe Toskana, si dhe në Holandë. Në pranga ranë 36 persona, nga të cilët 16 janë shqiptarë. Vlera e lëndëve narkotike, pjesa më e madhe e të cilës ishte marijuanë, shkon në mbi dy milionë Euro. Pjesa e trafikut ishin edhe lëndë si kokaina apo ekstazi. Rrjeti i narko-trafikantëve drejtohej nga tre shqiptarët Ditmir Vuca, dhe Edmond e Gert Marku. Këta të tre u arrestuan në Holandë, ku edhe qëndronin e drejtonin trafikun. Sipas mediave italiane, droga si kokaina apo ekstazi vinte në Italia nga Holanda, ndërsa marijuana nga Shqipëria. Për të shpërndarë drogën, trafikantët shfrytëzonin kamionë të mëdhenj dhe hiqeshin si ndërtues. Mësohet se janë bllokuar edhe disa llogari bankare të të arrestuarve. Mbi 90 persona të tjerë janë nën hetim si bashkëpunëtorë të këtij rrjeti.