Alba Sgarbi e bija e personazhit të famshëm televiziv italian, flet për herë të parë dhe ekskluzivisht për një media shqiptare. Marrëdhënia me babanë, lajmet e pasakta në shtypin italian dhe dyzimi midis dy kulturave e mendësive…
Edhe pse në Shqipëri u bë bujë vetëm verën e vjetshme, lajmi se Vittorio Sgarbi, personazhi kontrovers i televizionit italian, ka një vajzë me një grua shqiptare, është publikuar në Itali prej vitesh. Alba, e cila sot mban më në fund mbiemrin e të atit, është rritur në Shqipëri, ku ka jetuar me gjyshen e saj.
Lajmi se ajo dhe Vittorio kishin një fëmijë bashkë, është publikuar qëkurse Alba ishte fëmijë, por Kozeta nuk është shfaqur kurrë në foto apo video, pavarësisht nga këmbëngulja e gazetarëve. Fillimisht, lajmin e dha programi “Verissimo”, ftesën e të cilit ajo e refuzoi, mandej një grup xhirimi nga “La vita in diretta” ka ardhur deri në Tiranë të flasë me të, por sërish refuzim. As Alba nuk ka dalë në foto, deri këtë verë, kur u shfaq përkrah të atit në kopertinën e revistës “Chi”. Edhe pse nuk thuhet drejtpërdrejt, arsyeja pse ajo vendosi të shfaqet në Living është për shkak se shumë gjëra në shtypin italian janë të pasakta. Janë po ato informacione që merren nga Italia e mandej shpërndahen në mediet shqiptare. “Asgjë e saktë”, nënqesh Kozeta. Vite më parë, kur ishte në proces për atësinë e Albës, media italiane e portretizonte atë si “shqiptarja që kërkon të përfitojë financiarisht nga Vittorio”. Jo në intervistë, por gjatë një bisede të rastit, Kozeta tregon se në të vërtetë, kur e fitoi gjyqin, refuzoi të merrte nga Vittorio mijëra euro dëmshpërblim; i kërkoi vetëm detyrimet minimale për të bijën. Ndonëse spekulimet në shtyp e mërzisnin, nuk pati kurrë tundimin të përgënjeshtronte lajmet e pavërteta. Nuk pati as tundimin të niste ndonjë gjyq, nga i cili do të fitonte para. Lajmi më i pasaktë është sigurisht ai i njohjes së atësisë, që ka ndodhur shumë kohë më parë, por në media është shitur sikur ka ndodhur së fundmi. Në fakt, Alba është rritur me të atin pranë. Ajo e ka vizituar shpesh, flet rregullisht me të, por edhe me motrën më të vogël dhe vëllanë më të madh. Edhe gjatë verës e ftojnë në Itali, por ajo është e dashuruar marrëzisht me Borshin dhe i kalon pushimet atje. Borshi është vendlindja e së ëmës. Përpos kësaj, është pak e ndrojtur dhe e tërhequr nga natyra, kështu që nuk kalon kohë me tepri me familjen përtej detit. Pikërisht droja ka qenë arsyeja përse për vite me radhë, Alba nuk ka dalë publikisht në një intervistë. Një heshtje që e thyen Living…
Në shtypin shqiptar është shkruar shumë për historinë tënde… si ndihesh kur lexon për veten?
Është kënaqësi të jesh bija e Vittorio Sgarbit. Sa here që dalin artikuj që flasin për ne, ndihem sa në siklet, aq edhe e gëzuar: në siklet, sepse shfaqem si bija e dikujt, marr një popullaritet që vjen prej aftësive të tij dhe jo prej meritave të mia, kurse e gëzuar, sepse kam një baba që, pavarësisht se nuk është i pranishëm çdo ditë në jetën time, më do dhe dëshiron të më prezantojë me mbarë botën.
Çfarë mendon për gjërat e pasakta që janë shkruar hera-herës në shtypin italian për historinë tënde? Të inatosin apo je indiferente karshi tyre?
Sigurisht që më inatosin! Gënjeshtrat dhe fjalët e shtuara janë një prej gjërave më të këqija që mund të ekzistojnë; mediet janë informacioni i parë që merr publiku dhe ato mund të të dëmtojnë. Por unë dhe nëna ime nuk kemi reaguar kurrë. Kemi qëndruar indiferente, duke iu
shmangur televizioneve e komenteve të panevojshme.
Të ka bërë më të njohur në shkollë lajmi?
Jo, përkundrazi. Rrethi im shoqëror e njerëzit që më njohin, më vlerësojnë nga karakteri, jo prej faktit se bija e kujt jam. Madje në shkollën time, shumica as që e dinë se Vittorio është personazh televiziv. Edhe pasi e kanë marrë vesh nga mësuesit, prindërit, e kanë parë në televizor apo lexuar në internet, raporti i tyre me mua ka mbetur i njëjtë.
Çfarë di për historinë e njohjes së nënës me babanë, për marrëdhënien e tyre të dikurshme të dashurisë?
Di që përveç një marrëdhënieje sentimentale, ata kanë pasur një lidhje miqësore të mirë, të cilën vazhdojnë ta ruajnë edhe sot. Gëzojnë respekt reciprok.
E ndjek babanë në karrierën e tij?
Po, në internet ndjek gati çdo lëvizje të tijën, kurse në televizor jo edhe aq, për shkak të orareve të transmetimit. Si dikush që e njeh nga afër, mendoj se jeta e tij është aktive dhe për shumicën e njerëzve, e paimagjinueshme. Duke qenë se lëviz nga një vend në tjetrin, ka një jetë shumë të lodhshme. Kam arritur në përfundimin se energjia e brendshme dhe njohuritë që ka në fushën e tij, janë të paarritshme.
Si është Vittorio në jetën e përditshme, krahasuar me atë që shohim nga ekrani?
Babai është i drejtë, i ëmbël dhe i përgjegjshëm në veprimet e tij. Respekton dhe vlerëson njerëzit e thjeshtë e me kulturë. Është një baba si të gjithë të tjerët, i cili do të informohet për çdo gjë që bën fëmija, për çdo arritje të tij. Me mua është i kujdesshëm, i vëmendshëm në çdo detaj.
Sipas shtypit italian, Vittorio është shprehur që “s’i ka shumë qejf fëmijët, por është një baba i përgjegjshëm”; çfarë mendon për këtë deklaratë?
Është krejt e kundërta; atij i pëlqejnë fëmijët dhe dëshiron të ketë një familje të bashkuar, por puna s’e lejon. Gjithashtu i pëlqen liria. Për sa i përket përgjegjësisë, kur babai merr diçka përsipër, e çon deri në fund dhe e bën siç duhet; kjo është një prej pikave të tij më të forta. Këtë tipar e kemi të përbashkët.
Sa shpesh takoheni?
Sa herë që shkoj në Itali. Mundohem të shkoj shpesh, por më së shumti kur jam pushim nga shkolla. U bënë pesë vjet që e kalojmë bashkë Krishtlindjen, është bërë ritual tashmë.
Po vëllezërit dhe motrat i ke takuar?
Kam një motër më të vogël dhe një vëlla më të madh, që i kam njohur një vit më parë. Që e vogël kam pasur më shumë kuriozitet dhe dëshirë të njoh vëllanë, për shkak të ngjashmërisë që kemi, si në paraqitje dhe në karakter (gjë që deri atëherë e kisha me të dëgjuar), por kjo nuk do të thotë se ai është i preferuari im. I kam të dy për zemër, kam me të dy një marrëdhënie të mirë.
Po marrëdhënien me Vittorion si do ta përkufizoje?
Është një raport i veçantë. Kuptohemi vetëm me një vështrim. Unë nuk komentoj para të tjerëve, mundohem të flas me të për çdo problem që kam. Dua t’i rri përherë pranë dhe të mësoj prej tij. Raporti ynë do të forcohet kur të jemi pranë njëri-tjetrit fizikisht dhe të shihemi më shpesh. Për momentin, flasim me mesazhe, ndonëse rrallëherë. Ka raste kur stepem të flas me të në telefon, sepse më pëlqejnë më shumë marrëdhëniet dhe kontakti i drejtpërdrejtë.
Si mendon se do të ndikojë në të ardhmen tënde fakti që je bija e një figure të njohur dhe me ndikim në sferën publike?
Pyetje e vështirë! Të jesh fëmija i një personazhi, në përgjithësi ka si avantazhe, ashtu edhe disavantazhe. Fundja, çdo person ka njerëz që e admirojnë dhe të tjerë që e urrejnë. Shpesh, ideja se mbaj mbiemrin Sgarbi dhe jam vajza e Vittorios më frikëson, ndaj mundohem që çdo gjë ta arrij vetë, ta kem për shkak të personalitetit, punës sime, jo prej mbiemrit që mbaj. Kur prezantohem si vajza e Vittorios, marrëdhëniet me njerëzit e gjërat ndryshojnë, si për mirë ashtu edhe për keq, nisur nga opinioni specifik që dikush ka për të.
Në të ardhmen do të jetosh në Itali apo Shqipëri?
Pasi të kem përfunduar studimet jashtë, ndoshta në “Boconi”, ku i dihet, dëshira ime është të kthehem dhe të jetoj në vendin ku jam rritur, në Shqipëri, por kjo tani është një çështje që i përket së ardhmes, rrjedhës së fatit.
Për nga fiziku dhe karakteri, në ç’pikë i ngjan Vittorios dhe në ç’pikë mamit?
Njerëzit që na njohin të dyve, thonë se i ngjaj babit nga fiziku, por sa i përket karakterit, thonë se akoma s’kam shpërthyer. E kanë gabim. Babit i ngjaj në gjithçka, ndonëse si fillim dukem tip i qetë dhe i turpshëm. Nga mamaja mendoj se kam marrë delikatesën, edukatën dhe qukat e pakta në fytyrë.
Ndihesh më shumë shqiptare apo italiane?
Shqiptare. Fundja, këtu jam rritur dhe kam mendësi shqiptare. E adhuroj Shqipërinë e sidomos vendin e origjinës së familjes sime, Borshin.
Çfarë të pëlqen të bësh në të ardhmen? Të merresh me muzikë si mami, apo të bësh televizion, si babi?
Televizioni më pëlqen. Në të ardhmen dëshiroj të ndjek rrugën e babait. Për sa i përket muzikës klasike dhe pianos, jam shumë e apasionuar, por jo e talentuar. Më së tepërmi dua t’i mbaj si një aftësi shtesë në njohuritë e mia.
Cili ka qenë momenti më i vështirë dhe delikat në të gjithë këtë histori?
Momenti më i vështirë ka qenë të shikoja mamanë teksa vuante dhe ishte e stresuar për mua, për të ardhmen time dhe prej gjykimeve të të tjerëve për të, si një grua që kishte një fëmijë jashtë martese. Derisa jam njohur dhe kam marrë mbiemrin Sgarbi, situata për të ka qenë e vështirë nga ana emocionale dhe shpirtërore.