Ata po vdesin nga paaftësia jonë…

Botë/Rajon

2016 02 08 caricature

Mbi 50 mijë civilë, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë kanë mbetur të mbërthyer në lagjet e brendshme të Halepit Lindor (Alepo siç njihet në anglisht), në darën e një prej betejave më të përgjakshme që nga lufta e dytë botërore, asaj për qytetin që mban të njëjtin emër.

Pak orë më parë, një armëpushim i arritur për të siguruar daljen e civilëve nga zona e luftës ka dështuar dhe ushtria arabe Siriane dhe forcat ruse kanë nisur bombardimin e rëndë të godinave të banuara, pa kursyer as spitalet dhe as shkollat që në fakt nuk funksionojnë prej kohësh.

Me atë pak mbulim interneti, banorët e njërit prej qyteteve më të lashta dhe dikur më të bukur të botës, i njohur si vendlindja e Otellos, kanë dëshmuar me aq sa munden masakrën që kësaj here, po kryhet live, në sytë e gjithë botës.

Live jo vetëm në media.

Livë në rrjetet sociale, ku adoleshentë, të rinj apo të moshuar po shohin se si shuhen nën bombat e rënda moshatarët e tyre që nuk kanë asnjë faj. Thjeshtë janë gjendur në mes të një zone luftë.

Live përpara fuqive më të mëdha të globit, krejtësisht impotente për të ndalur një katastrofë humane, një katastrofë që 30 minuta më parë, Komisioneri i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut e quajti: një situatë krimesh lufte.

Live përpara syve të liderëve botërorë që në mes të viteve ’90 – të kishin deklaruar se ndërhyrjet ushtarake do të kryheshin edhe për arsye morale dhe për mbrojtjen e popullsive të pafajshme nga dhuna e liderëve të tyre të papërgjegjshëm.

Perëndimi u angazhua vonë në Bosnjë në 1995 duke lejuar masakra si ajo e Srebrenicës, por 4 vjet më pas, ai u bashkua në një prej luftave më të rëndësishme morale të globit, luftën e Kosovës. Liderët e perëndimit, arsyetuan atëherë se shmangia e katastrofave humanitare, justifikon edhe ndërhyrjen brenda një territori sovran. Kjo llogjikë u përshendet nga e gjithë bota e qytetëruar, e lodhur nga dramat e viteve ’90: Bosnja, Ruanda, Somalia, Timori Lindor etj.

17 vjet më pas, moraliteti i përdorur në ndërhyrjet e Kosovës dhe të Bosnjës, duket se ka rënë. Obama që premtoi një botë me më pak konflikt, me tërheqjen përpara Rusisë, ka prodhuar një botë me shumë më tepër trauma dhe shumë më të pasigurtë. Lufta ka trokitur direkt apo indirekt (përmes atentateve) në dyert e qyteteve më të rëndësishëm të Europës, ndërsa ligji i të fortit dhe atij që nuk pyet për rregulla po bëhet mbisundues.

Perëndimi ka dështuar dhe ky është dështimi tij më spektakolar që nga mbarimi i luftës së Ftohtë. E madje edhe më gjerë.

Sot, Presidenti i SHBA, Kryeministrja e Britanisë, Presidenti i Francës, Kancelarja e Gjermanisë, liderët e vendeve demokratike të gjithë botës, shtetasit e tyre që kanë besuar gjithnjë tek solidariteti njerëzor, ushtritë e tyre të frikshme prej miliona njerëzish dhe miliarda e miliarda dollarë armatimesh, nuk kanë asnjë mundësi tjetër, veç të ngulen përpara Tv, për të dëgjuar klithmat e fëmijëve që vdesin nën bomba, thirrjet e baballarëve të dëshpëruar që duan të mbajnë në jetë fëmijët e tyre, gra që hidhen nga pallatet për t’i shpëtuar përdhunimeve dhe pleq që shënjohen si tabela qitjeje në një betejë pa asnjë rregull ushtarak dhe asnjë mëshirë njerëzore.

Beteja që po zgjat prej 4 vitesh ka prodhuar dhjetra mijëra viktima, kryesisht civilë; mbi 2 milion refugjatë vetën në atë zonë. Por këtë javë ajo ka hyrë në një nga fazat e saj më makabre.

50 mijë njerëz janë duke pritur vdekjen çdo sekondë, me thirrje të dëshpëruara ndihme, me sytë nga qielli dhe me shpresën që vdes e fundit. Por që këtë herë duket se nuk do vijë. Viktima të pafajshme dhe fli të paaftësisë së perëndimit për të kontrolluar lëvizjet që stimuloi vetë, ata janë sot, monumenti i vërtetë i mbarimit të një kohe. Asaj të moralit politik dhe zëvendësimit me pazaret gjeopolitike që po e kthejnë botën sërish në periferitë e “Luftës së ftohtë”.

Imazhet e dhimbshme të prindërve që tentojnë me dëshpërim të shpëtojnë fëmijët e tyre janë familjare për ne. Ne jemi një popull që kemi vuajtur luftrat dhe deportimet. Ndaj ne na takon sot, të solidarizohemi me ta edhe më shumë. Edhe pse jemi të paaftë të bëjmë diçka, besoj se jemi të aftë ta përjetojmë këtë dhimbje dy herë më shumë dhe dy herë më të fortë, se sa ata lider perëndimore, që i braktisën ata 50 mijë vetë në fatin e tyre tragjik!

Blendi Fevziu