Tkurrja e popullsisë po ndikon drejtpërsëdrejti në sektorin e arsimit në vend, pasi çdo vit që kalon shkollat janë duke u përballur me sfidën e uljes së numrit të nxënësve dhe, për rrjedhojë, edhe mbylljen e shumë klasave.
Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, në arsimin 9-vjeçar pritet të vijojnë studimet këtë vit të ri shkollor 306 mijë nxënës. Numri i fëmijëve në këtë cikël është 13 mijë më pak se në vitin shkollor 2018-2019. Ndërsa në krahasim me fillimin e tranzicionit (vitin ’92) janë rreth 200 mijë nxënës më pak.
Në raport me vitin 2011, kur u bë censi i fundit, në bankat e shkollës do të ulen 114 mijë nxënës më pak. Në harkun e 8 viteve, numri i nxënësve në ciklin 9-vjeçar është reduktuar me 27%. Ritmet e rënies pritet të jenë të larta edhe në periudhën në vijim. Ministria e Arsimit pret që në vitin 2022, numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar të arrijë në 273 mijë nxënës ose 9.7% më pak se në vitin 2019.
Përveç rënies natyrore të popullsisë, arsimi shqiptar po vuan nga braktisja e shkollës për arsye emigrimi. Mijëra të rinj nën moshën 18 vjeç, një kontingjent për arsimin e mesëm dhe fillor zgjedhin emigrimin, në të shumtën e rasteve me familjet e tyre.
Viti 2018 shënoi rritje në numrin e të miturve që ishin pajisur me leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Gjatë vitit që lamë pas u pajisën me leje qëndrimi për herë të parë, rreth 17,279 të mitur nën 19 vjeç, me një rritje prej 6% në krahasim me një vit më parë. Shifrat janë më të larta se kaq, duke marrë parasysh që Eurostat nuk ka të publikuara të dhënat për lejet e para të qëndrimit të lëshuara nga Gjermania.
Emigracioni shihet të jetë një ndër shkaktarët kryesorë të rënies së numrit të nxënësve në shkolla. Eksperti i politikave arsimore, Ndriçim Mehmeti, thotë se, që prej 2014 e në vijim ka një ulje drastike të numrit të nxënësve për shkak të emigrimit dhe migrimit të brendshëm. Sipas tij MASR dhe qeveria nuk e ka analizuar këtë situatë dhe për pasojë, nuk janë gati të japin edhe zgjidhjet.
Braktisja e arsimit të detyruar ndodh më së shumti për arsye ekonomike dhe sociale, si dhe për mungesë të shpresës se ky vend mund të ndryshojë!