Nuk është hera e parë që ambasadori i Shqipërisë në Kinë, zoti Selim Belortaja, reagon në profilin e tij në Facebook lidhur me situatën e Koronavirusit jo vetëm në vendin prej nga nisi gjithçka, por edhe më gjerë. Gati një muaj më parë ai shprehej se situata në Kinë nuk ishte apokaliptike, por që duhej treguar kujdes maksimal dhe të minimizoheshin lëvizjet e panevojshme.
Menjëherë pas identifikimit të dy rasteve të para me Koronavirus në vendin tonë, zoti Belortaja ka reaguar sërish në profilin e tij në Facebook, duke shkruar se tani ka ardhur koha për t’i dhënë fund “gallatës” apo shakave në lidhje me këtë sëmundje. Ai shprehet se të gjithë duhet të shkundemi, në të kundërt sëmundja do të na shkundë.
Postimi i tij vijon si më poshtë: ” Asgjë e re s’ka ndodhur. Ato 2-3 ishujt e vegjël s’mund të qëndronin për shumë kohë gri. Me Italinë ne ishim thuajse “njësh” me avionat dhe tragetet e përditshme. Bashkimi me “hartën e kuqe” aty ishte, sot vetëm sa u zyrtarizua. Kjo është keq sigurisht, por ka dhe një të mirë: uljen tonë me këmbë në tokë! Mbylljen e stacionit të gallatës! Stopin e qyfyreve, kunjave e shakave tona bajate, të folklorizmave si ..“është si punë gripi, po një çikë me i fortë se gripi”! apo “jemi racë e fortë”; te këshillave qesharake si: “hani limona e pini raki”! “është kot kjo e kot ajo…”, etj. Ngjeshjes e gajasjes sonë të papërgjegjshme nëpër kafe, restorante, salla, stadiume dhe autobuza edhe për 1 stacion! Të gjithë duhet të shkundemi. Ndryshe doemos, do të na shkundë!