33 raste të reja në 24 orët e fundit, por rritet ndjeshëm numri i të shtruarve në spital

Aktualitet Botë/Rajon

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 239 testime dhe kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 33 persona. Në komunikimin e përditshëm me publikun dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik bëri me dije se vijon të ketë shtrime të reja te qytetarëve që kanë nevojë për trajtim spitalor si pasojë e COVID-19.

“Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin trajtohen 82 pacientë, 10 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 239 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 33 raste pozitive, kryesisht raste të reja ne proces hetimi si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive.

Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 23 të prekur në Tiranë, 8 në Shkodër dhe nga 1 rast në Pogradec dhe Kamëz.

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 25 qytetarë, duke e çuar në 1159 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë janë aktualisht 792 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës”, bëri me dije Tomini.

“Gjatë javës që lamë pas kemi pasur një trend të rritur të rasteve të konfirmuara pozitiv, zgjerim të fashës së moshës së prekur me simptoma të shprehura, shtim të rasteve të hospitalizuara, por kemi pasur edhe humbje jete. Kjo situatë ka reflektuar faktin që kemi ende ndërgjegjësim të ulët për respektimin e masave, por dhe prezencë të virusit me të njëjtin nivel trasmetueshmërie.

Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve, të tregojnë kujdes në ambientet e punës, aty ku ofrohen shërbime dhe në çdo ambient publik, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangni kontaktet dhe vendosni maskat kur nuk është e mundur të ruhet distanca”, tërhoqi vëmendjen dr. Tomini.

COVID-19 – Statistika (22 Qershor 2020)

Testime totale                         23692

Raste pozitive                          1995

Raste të shëruara                    1159

Raste Aktive                             792

Humbje jete  44 (Qarku Tiranë 24, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1)