Sot bëhen 3 vite që ka ndërruar jetë shkrimtari dhe poeti i madh Dritëro Agolli.
Me ikjen e Agollit nga kjo botë, poezia shqipe nuk do të mund të ishte më e njëjtë. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare.
Krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme për nga gjinitë. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë.
Në prozë bëri emër sidomos romani ‘Komisari Memo’(1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ. Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani Njeriu me top (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve.
I paharrueshëm është edhe romani humoristik ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’, që flet për burokratin servil Zylo Kamberi, i cili falë Agollit, u bë subjekt filmash dhe këngësh.