Kuvendi ka nisur sot senacën e parë plenare pas më shumë se një muaj mbyllje për shkak të Covid-19. Gjatë fjalës së saj, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 24 raste të reja, duke e çuar numrin total të të prekurve në 518. Manastirliu tha se aktualisht 12 pacientë janë të shtruar në terapi intensive, dhe katër në intubim.
“Sot rezultojnë të infektuar 518 persona në total. Në 24 orët e fundit janë shënuar 24 rastë të reja. Sot Shqipëria ka mbi 4500 testime. Mbi 800 testime janë kryer për personelin mjekësor dhe fatmirësisht më pak se 9% e personelit mjekësor kanë rezultuar pozitiv. Aktualisht kemi vetëm 14 % të kapaciteteve të spitalit të zënë. Nuk kemi pasur asnjë mungesë në terapitë apo në mjetet e nevojshme. Lajmi i mirë është që numri i të shëruave sa vjen e shtohet. Në dy spitalet Covid në vend vetëm 14% e kapacitetit janë të zënë, kemi aktualisht 12 pacientë në terapi intensive dhe 4 në intubim. Nuk kemi asnjë mungesë në mjekim dhe logjistikë, ndërkohë që vazhdojmë punën me intensitet në terren. Në 40 ditë kemi sheshuar kurbën, kemi gjurmuar rastet dhe kemi trajtuar cdo rast, puna në terren nuk po ndalet. Vendimet e marra në kohën e duhur, shmangën kolapsin shëndetësor.
Heronjtë tanë, ata në vijën e parë të kësaj përballje janë mjekët, infemierët, epidemiologët, punojësit e Urgjencës Kombëtare, që me sakrificë e vetëmohim janë aty çdo minutë të ditës dhe çdo ditë të javës që me sakrificë dhe vetmohim po përballen në vijën e parë të zjarrit, gjej serish rastin t’i falenderoj. Ndryshimet që po propozojmë në Ligjin e Sëmundjeve Infektive, e në ndryshimet në Kodin Penal e që lidhen me situatën e epidemive, jo vetëm që na vendosin në një linjë me vendet e tjera, që këto dispozita i kanë patur të parashikuara, por mbi të gjitha nëse duam të kalojmë në fazën e tranzicionit të bashkëjetuarit më këtë Virus, do të duhet të kemi të gjitha armët për ta luftuar atë. Ndaj rritja e përgjegjësisë individuale, e ndërgjegjjes qytetare është esenciale me qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit publik. Sipas dëmit duhet të jetë dhe ndëshkimi, për këdo që cënon lirinë dhe jetën. Lajm inkurajues është se numri i të shëruarve prej 5 ditësh rezulton të ketë kaluar numrin e të infektuarve aktiv.
Kjo është një shenjë e mirë krahasuar me vendet e rajonit, por ende nuk është koha për bilance se nuk jemi në kushtet kur lufta ka mbaruar. Një thirrje për qytetarët, dhe do kërkoja dhe ndihmën tuaj të nderuar deputetë, për të perçuar lajmin tek çdo qytetar që lufta me këtë virus fitohet nëpërmjet distancimit social, zbatimi i vetëkarantinimit, izolimi është thelbësor nëse duam ta fitojmë pa shumë humbje këtë luftë,”- tha ajo.